Libri “Qamili i Vogël, këngëtar i madh” promovohet në Ferizaj

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 22 Korrik, 2025

Komente


Libri “Qamili i Vogël, këngëtar i madh” promovohet në Ferizaj

Në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës – Ferizaj 2025”, të hënën në Galerinë e Arteve u promovua libri “Qamili i Vogël, këngëtar i madh”, nga autorët Sylejman Salihu dhe Salih Berisha.

Ngjarja u mbajt në ora 18:00 dhe mblodhi pjesëmarrje të gjerë qytetarësh, dashamirë të librit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Të pranishëm ishin edhe deputetët z. Rashit Qalaj dhe znj. Arbnora Salihu, të cilët me praninë e tyre dhanë mbështetje për vlerësimin e figurave të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare.


Libri “Qamili i Vogël, këngëtar i madh” përshkruan jetën dhe veprën e Qamil Muhaxhirit – të njohur si Qamili i Vogël, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës popullore shqiptare. Ai përfshin një pasqyrë të gjerë të rrugëtimit të tij artistik, që nga fillimet si këngëtar, deri në ditët e fundit të jetës. Libri përbëhet nga katër pjesë.

Gjatë promovimit, të dy autorët folën për motivet që i shtynë drejt realizimit të këtij botimi, duke theksuar domosdoshmërinë e dokumentimit të figurave të mëdha si Qamili i Vogël. Ata e përshkruan atë si një emër të rrallë të muzikës shqiptare i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive.

Ndër të tjerët, foli edhe prof. Sylejman Dermaku redaktor i librit, i cili theksoi rëndësinë e strukturës dhe qasjes shumëdimensionale të autorëve në përshkrimin e jetës dhe veprës së Qamilit. Ai vlerësoi faktin se libri ofron jo vetëm analizë, por edhe dëshmi personale dhe rrëfime që e bëjnë portretin e artistit edhe më të gjallë.


Në fjalët e rastit u tha se Qamili i Vogël ishte artist poliedrik, i cili nuk mbetet në kujtesë vetëm si këngëtar, por si një emër i madh në të gjitha dimensionet e jetës – nga arti deri te vlerat njerëzore. Portreti i tij ka mbetur i gravuar në kujtesën muzikore të shqiptarëve dhe muzika e tij dëgjohet me ëndje edhe sot.

Gjithashtu promovimi u pasurua me interpretime të disa pikave muzikore të cilat shfaqën disa nga këngët më të njohura të tij.

Ky promovim ishte dëshmi e respektit të thellë që publiku ka për figurat e mëdha të artit dhe një përpjekje e rëndësishme për të forcuar lidhjet kulturore mes mërgatës dhe atdheut.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj